Transmetuar më 13-07-2026, 13:15

TIRANË – Ish-punonjësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Fatjon Baçi, i cili po gjykohet pas hetimeve të SPAK nën akuzën se i futi një telefon celular në qeli kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar nga gjykata një masë më të butë dënimi.

Përmes avokatit të tij mbrojtës gjatë seancës gjyqësore, Baçi ka pretenduar se veprimi i tij nuk ka pasur asnjë lloj qëllimi kriminal, por ka qenë thjesht një "gabim njerëzor" i ndikuar nga figura dhe pozita e ish-kryebashkiakut. Sipas mbrojtjes, Veliaj e ka përdorur aparatin telefonik vetëm për arsye familjare.

“Fatjon Baçi ka bërë një gabim njerëzor përballë një njeriu si Erion Veliaj, që gëzonte pushtetin që gëzonte. Veliaj ka biseduar me vëllain dhe gruan e tij dhe nuk ka bërë asnjë bisedë kriminale, përndryshe nuk do t’ia jepte celularin,” ka deklaruar avokati përpara trupit gjykues.

Mbrojtja ligjore i kërkoi gjykatës që në caktimin e masës së dënimit të tregohet tolerante dhe të marrë parasysh rrethanat specifike sociale dhe ekonomike të të pandehurit, duke argumentuar se Baçi është i vetmi person i punësuar në familjen e tij dhe se prej të ardhurave të tij varet e gjithë familja.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit