Transmetuar më 13-07-2026, 13:05

Ekzekutimi i Edmond Sulës në Bërxullë/ Atentat me snajper nga 100 metra distancë. Pista kryesore konfliktet për pronat

TIRANË – Konfliktet e shumta për pronat janë vënë në qendër të hetimeve nga Policia e Shtetit për vrasjen e 50-vjeçarit Edmond Sula (i njohur edhe si Edmond Aliu), i cili u ekzekutua pak minuta pas mesnatës së 11 korrikut pranë banesës së tij në Bërxullë.

Mënyra e kryerjes së krimit ka ngritur dyshime të forta se kemi të bëjmë me një atentat të mirëorganizuar nga një vrasës me pagesë.

Ekspertët gjetën vetëm një gëzhojë në vendngjarje, ndërsa vlerësohet se Sula u qëllua nga pas, nga një distancë prej 60 deri në 100 metrash, me një armë me dylbi ose snajper. Plumbi i vetëm i përshkoi trupin duke i prekur zemrën.

"Autori i vrasjes duket të jetë i specializuar në qitje me armë zjarri precize. Ai ka përgatitur paraprakisht të gjitha kushtet për realizimin e vrasjes dhe përmes një snajperi ka qëlluar viktimën nga një distancë deri në 100 metra largësi", tha një burim pranë hetimit.

Momenti i vrasjes ishte kur burri 50 vjeçar doli nga makina për tu futur në shtëpi.

Personi që po shoqëronte viktimën ka dëshmuar se nuk ka dëgjuar asnjë të shtënë, çka shton dyshimet se arma ka qenë e pajisur me silenciator.

Pistat e hetimit dhe skedari i viktimës

Edmond Sula merrej prej vitesh me shitblerjen e tokave dhe njihej në zonë për ndikim institucional e politik, duke u angazhuar edhe në fushata elektorale.

Për shkak të këtij aktiviteti, hetuesit po verifikojnë me imtësi 18 raste të mëparshme ku 50-vjeçari rezulton i kallëzuar apo i proceduar për raste dhune, presioni dhe mosmarrëveshje pronash.

Pavarësisht fokusit te pronat, grupi hetimor nuk përjashton as përplasjet personale, konfliktet me persona të botës së krimit apo episode nga e kaluara e tij jashtë vendit.

Kërkimet për autorin

Deri më tani, ekzekutori mbetet në arrati. Një nga kamerat e sigurisë së banesës ka fiksuar siluetën e një personi që largohet me shpejtësi pas të shtënës, por pamjet e turbullta e bëjnë të pamundur nxjerrjen e një identikiti.

Policia ka sekuestruar dhjetëra kamera të tjera sigurie në rrugët hyrëse dhe dalëse të Bërxullës, me synim lokalizimin e autorit apo të mjeteve të bashkëpunëtorëve që mund ta kenë pritur për ta larguar nga zona.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit