

ELBASAN – Detaje të reja janë zbardhur nga skema e arratisë së Armand Shakajt, i cili akuzohet për vrasjen e mikut të tij, Eglant Koçi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori i dyshuar ka arritur t’u fshihet forcave të rendit për ditë me radhë duke ndryshuar pamjen e tij fizike dhe duke përdorur dokumente false identifikimi.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimet, menjëherë pas kryerjes së krimit, Shakaj është fshehur në qarkun e Elbasanit, përfshirë rrethinat e qytetit, si dhe në zonat e Peqinit dhe Cërrikut. Për të shmangur zbulimin nga policia, ai ka qëndruar në hotele dhe apartamente të ndryshme me qira ditore, ku ka paraqitur identitete të rreme. Gjithashtu, ai nuk ka lëvizur me mjete personale, por ka zgjedhur të udhëtojë ekskluzivisht me taksi për të mos rënë në sy.
Hetuesit ranë në gjurmët e të kërkuarit pasi arritën të lokalizonin sinjalin e telefonit të tij celular, i cili pulsonte brenda qarkut të Elbasanit. Strukturat e policisë organizuan menjëherë operacione të shpejta për kapjen e tij, por Shakaj arriti t’i diktonte lëvizjet e uniformave blu dhe u largua sërish duke humbur gjurmët. Aktualisht ai vijon të jetë në arrati, ndërsa policia dyshon se po ndihmohet për t’u fshehur nga persona të afërt, me të cilët mban ende kontakte.
Ngjarja e rëndë u regjistrua më datë 4 qershor, kur Armand Shakaj dyshohet se vrau mikun e tij Eglant Koçi. Pas krimit, ai e transportoi dhe e hodhi trupin e viktimës në Majën e Korrës, në një lartësi prej 1450 metrash në fshatin Cerrujë, ku kufoma u gjet nga shërbimet e policisë pas dy javë kërkimesh.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






