Transmetuar më 13-07-2026, 12:12

TIRANË – Policia e Shtetit ka rritur intensitetin e hetimeve pas denoncimeve të njëpasnjëshme nga biznese private, të cilat pretendojnë se kanë rënë pre e një sulmi të koordinuar përmes komenteve dhe vlerësimeve negative në platformën Google. Sektori i Krimit Kibernetik po trajton aktualisht 15 denoncime zyrtare të depozituara nga subjektet e dëmtuara.

Deri në këtë fazë të hetimeve, uniformat blu kanë arritur të identifikojnë më shumë se 200 persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur llogaritë e tyre reale në rrjetet sociale për të publikuar apo shpërndarë vlerësime negative (1-star reviews) ndaj këtyre bizneseve. Autoritetet po kryejnë verifikime të imtësishme për secilin prej tyre për të provuar nëse kanë vepruar si pjesë e një rrjeti të organizuar dhe nëse veprimet e tyre përmbajnë elemente të konsumimit të veprave penale.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se çështja po vlerësohet nën kuadrin e disa veprave të mundshme penale, ku përfshihen "manipulimi i tregut", "manipulimi i çmimeve", "përhapja e informacioneve të rreme", "shpifja" dhe "falsifikimi kompjuterik".

Objektivi kryesor i strukturave të hetimit kibernetik mbetet zbulimi i organizatorëve dhe koordinatorëve të kësaj fushate denigruese, e cila, sipas ankesave të bizneseve, u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në aktivitetin e tyre ekonomik dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e tyre në treg.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit