Transmetuar më 13-07-2026, 11:29

TIRANË – Bashkëpunëtorja e drejtësisë, Adela Kondakçiu, ka paraqitur sot mbrojtjen e saj në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me çështjen e njohur si dosja "Veliaj-Xoxa". Përmes avokatit të saj mbrojtës, Kondakçiu ka deklaruar para togave të zeza se nuk ka pasur asnjë synim për përfitim personal nga veprimtaria e kundërligjshme.

Sipas mbrojtjes, përfshirja e saj në këtë veprimtari ka ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimit dhe udhëzimeve të marra nga Ajola Xoxa. Avokati vuri në dukje se Kondakçiu ka zgjedhur të bashkëpunojë pa kushte me organet e drejtësisë, duke ndihmuar në sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes, pavarësisht kostove të larta personale me të cilat është përballur.

Në përfundim të kësaj seance, pala mbrojtëse ka kërkuar kohë shtesë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare. Megjithëse Prokuroria e Posaçme shprehu kundërshtimin e saj, GJKKO ka vendosur ta pranojë kërkesën e avokatëve, duke e shtyrë seancën e radhës për më datë 23 korrik.

Ndërkohë, Ajola Xoxa dhe disa të pandehur të tjerë të përfshirë në këtë dosje po gjykohen në një proces të veçuar nga Kondakçiu, pasi ndaj tyre gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit