Transmetuar më 13-07-2026, 11:21

TIRANË – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga kryetari i tij Gazment Bardhi, ka depozituar sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) një kallëzim penal kundër Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Dy zyrtarët e lartë akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Kallëzimi lidhet me miratimin e Aktit Normativ Nr. 3, të datës 6 korrik 2026, përmes të cilit Këshilli i Ministrave alokoi një fond prej 400,000,000 lekësh (rreth 4.2 milionë euro) nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit për financimin e pjesshëm të koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West, i planifikuar për t’u zhvilluar në Tiranë më 11 korrik 2026.

Në dokumentin e depozituar në SPAK, opozita argumenton se ky financim është bërë në shkelje të plotë të ligjit për financat publike dhe kuadrit ligjor për artin e turizmin. Sipas PD-së, fondi rezervë i shtetit mund të shfrytëzohet ekskluzivisht për emergjenca të paparashikueshme, si fatkeqësi natyrore apo epidemi, dhe jo për të mbështetur evente private të planifikuara më parë.

Më tej, në kallëzim theksohet se ky vendim ka cenuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta një operatori ekonomik privat, mundësi e cila nuk u është dhënë operatorëve të tjerë në treg. Pasi ka dorëzuar dokumentacionin, grupi i PD-së ka kërkuar nga SPAK nisjen e hetimeve për dokumentimin e plotë të kësaj shkeljeje të pretenduar të buxhetit të shtetit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit