

TIRANË – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ashpërsuar tonet në seancën e sotme plenare, duke akuzuar deputetët e opozitës për politizim të protestave mjedisore. Përmes një replike të fortë nga foltorja e Parlamentit, Balla deklaroi se një kauzë e nisur e pastër për mjedisin është degraduar për qëllime politike.
“Unë nuk tallem me protestën. Protesta, kur nisi, ishte diçka e bukur; e nisi në emër të disa kërkesave që lidhen për mjedisin, por siç e kam thënë, kur hyri Saliu, hyri Gonja, hyri Qorri, apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote. Flamingot janë një zog shumë i pastër dhe nuk rrinë me llumin, prandaj ikën nga ju,” u shpreh Balla.
Gjatë fjalës së tij, kreu i deputetëve socialistë adresoi akuza të drejtpërdrejta ndaj deputetit Agron Shehaj, duke i mohuar të drejtën politike dhe morale për të folur në emër të popullit dhe duke e konsideruar praninë e tij në sallë si "aksidentale" pas dorëheqjes së një tjetër deputeti.
Në vijim të replikës, Balla hodhi dyshime mbi pasurinë e palës tjetër, duke kërkuar publikisht sqarime për transaksione financiare. “Sqaro se si mund të shesë një njeri një apartament 151 m2 për 15 milionë euro. Kaq. Por petat e byrekut po hapen, siç u hapën edhe historitë e përfshirjes së lloj-lloj balte, lloj-lloj llumi,” përfundoi kryetari i grupit të PS-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






