

TIRANË – Pjesa e dytë e muajit korrik pritet të sjellë temperatura ekstremisht të larta në të gjithë vendin, si pasojë e një vale të nxehti afrikan që do të nisë të ndihet që nga dita e martë. Meteorologia Lajda Porja bëri me dije se termometri do të shënojë rritje progresive, duke arritur kulmin ditën e enjte dhe të premte, ku në disa qarqe vlerat do të prekin 40 gradë Celsius.
Zonat më të goditura nga temperaturat e larta do të jenë qarqet e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Tiranës, Fierit dhe Lushnjës. Ndërkohë, në zona të izoluara si Kopliku, Belshi, Cërriku, Ura Vajgurore dhe Lazarati, temperaturat parashikohet të kalojnë edhe mbi vlerën 40 gradë. Meteorologia sqaroi se një temperaturë prej 40 gradësh e matur në hije korrespondon me rreth 46 gradë nën ekspozimin direkt të rrezeve të diellit.
Kjo valë e të nxehtit do të shoqërohet me mot të qëndrueshëm dhe mungesë të plotë të reshjeve, duke favorizuar pushuesit në vijën bregdetare. Megjithatë, autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar, pasi prania e erës së fortë, e kombinuar me temperaturat e larta dhe terrenin e thatë, rrit ndjeshëm rrezikun për shpërthimin dhe përhapjen e vatrave të zjarrit, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
Një tërheqje e lehtë dhe e përkohshme e masave të nxehta pritet rreth datës 20 korrik, ku termometri do të zbresë në 34-35 gradë, për t’u pasuar menjëherë nga një tjetër valë përvëluese që do të zgjasë deri në fund të muajit. Specialistët këshillojnë qytetarët të kufizojnë lëvizjet e panevojshme nga ora 11:00 deri në orën 16:00, të shmangin ekspozimin direkt në diell dhe të kujdesen për hidratimin konstant.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






