Transmetuar më 13-07-2026, 09:34

KRUJË – Policia e Krujës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Mukja”, duke goditur një rrjet të kultivimit të lëndëve narkotike në një zonë pyjore. Gjatë këtij aksioni, blutë kanë vënë në pranga një 31-vjeçar dhe kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale N. Z., 31 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi J. M., 43 vjeç, të dy banues në fshatin Mukaj. Arrestimi dhe shpallja në kërkim u bënë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve të imtësishme të organizuara në terren nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se dy shtetasit kishin kultivuar 42 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa në zonën pyjore të fshatit Mukaj, të cilat u asgjësuan nga forcat e rendit. Gjithashtu, gjatë kontrollit në vendngjarje, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 600 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Autoritetet po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e 43-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprimet e mëtejshme, nën akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit