

TIRANË – Shqipëria ka regjistruar rënien më të madhe të popullsisë në Europë gjatë 25 viteve të fundit. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, bazuar në statistikat e INSTAT, vendi numëronte rreth 2.34 milionë banorë më 1 janar 2026, nga 3.06 milionë në vitin 2000.
Në këtë periudhë, popullsia është tkurrur me rreth 721 mijë banorë, ose 23.6%, duke e renditur Shqipërinë në krye të vendeve europiane për ritmin e rënies demografike. Pas saj renditet Bullgaria me një tkurrje prej 21.6%, ndërsa Kosova, e llogaritur nga viti 2003, ka shënuar një rënie prej 19.3%.
Sipas analizës së të dhënave, emigracioni i lartë, rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë mbeten faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë zhvillim. Largimi i vazhdueshëm i të rinjve ka reduktuar numrin e banorëve dhe njëkohësisht bazën e popullsisë në moshë riprodhuese, duke sjellë ulje të lindjeve dhe rritje të moshës mesatare.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se mosha mediane e popullsisë shqiptare ka arritur në 45 vjeç më 1 janar 2026, nga 34.2 vjeç në vitin 2014. Ndërkohë, gjatë vitit 2025 u regjistrua niveli më i ulët historik i lindjeve në periudhën pas tranzicionit, me rreth 22.5 mijë lindje.
Ekspertët paralajmërojnë se tkurrja e popullsisë po ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës, konsumin dhe qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve, ndërsa bizneset po përballen gjithnjë e më shumë me mungesë të fuqisë punëtore.
Ndryshe nga Shqipëria, Bashkimi Europian vijon të shënojë rritje të popullsisë. Sipas Eurostat, më 1 janar 2026 popullsia e BE-së arriti në 452 milionë banorë, kryesisht falë emigracionit neto pozitiv, i cili ka kompensuar bilancin negativ natyror mes lindjeve dhe vdekjeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






