

Një 43-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta administratorin e një subjekti që ofron biçikleta me qira në zonën turistike të “Syrit të Kaltër”.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në parkimin e kompleksit turistik, ku një konflikt për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete ka degraduar në dhunë fizike.
Si pasojë e goditjeve, administratori i subjektit, 27 vjeç, ka pësuar fraktura dhe është transportuar në spital. Autoritetet bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ndërhyrjes së efektivëve dhe veprimeve të para hetimore, u arrestua shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Nga hetimet paraprake rezulton se në konflikt janë përfshirë edhe tre persona të tjerë. Për këtë arsye, shtetasit A. H., 45 vjeç, S. Ç., 20 vjeç, si dhe administratori i subjektit, A. L., 27 vjeç, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve në konflikt.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






