

Një gazetë iraniane ka publikuar një grafik të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqen disa figura politike dhe ushtarake perëndimore, të shoqëruar me mbishkrimin: “Hakmarrja është e sigurt”.
Grafika, e publikuar nga gazeta Hamshahri, përfshin 13 personalitete nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Europa, të cilët media iraniane i akuzon si përgjegjës për vrasjen e ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë sulmit amerikano-izraelit që, sipas saj, shënoi nisjen e konfliktit më 28 shkurt.
Në mesin e personave të paraqitur janë presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, Brad Cooper, si dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee.
Vëmendje ka tërhequr edhe përfshirja në grafik e katër liderëve europianë: kryeministres italiane Giorgia Meloni, kryeministrit britanik Keir Starmer, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Publikimi vjen pak ditë pas mesazhit të liderit të ri suprem të Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, i cili, pas ceremonive mortore për të atin, deklaroi se përgjegjësit për vrasjen e ish-udhëheqësit iranian do të përballen me hakmarrje.
Në deklaratën e transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, Mojtaba Khamenei u shpreh se hakmarrja ndaj autorëve të sulmit është një kërkesë e popullit iranian dhe se, sipas tij, "duhet patjetër të ndodhë".
Publikimi i gazetës Hamshahri pasqyron qëndrimin e kësaj mediaje dhe nuk përbën një deklaratë zyrtare të autoriteteve iraniane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






