Transmetuar më 12-07-2026, 20:39

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar lidhur me debatin e krijuar pas organizimit të koncertit të reperit amerikan Kanye West në Tiranë, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, janë përdorur fondet publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bushati u shpreh se Shqipëria ka nevojë si për aktivitete kulturore, ashtu edhe për protesta qytetare, duke e cilësuar të panevojshëm përballjen mes këtyre dy realiteteve.

Sipas tij, protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit kanë përcjellë një mesazh të rëndësishëm për demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare, ndërsa theksoi se politika duhet t’u përgjigjet shqetësimeve të ngritura nga protestuesit.

"Dritat dhe hareja e një koncerti zgjasin pak, krahasuar me protestat disa javore që i kanë dhënë Shqipërisë një imazh ndërkombëtar që nuk ka para e koncert që e krijon", shprehet Bushati.

Ish-ministri ngre gjithashtu pikëpyetje mbi përdorimin e fondeve publike për organizimin e eventeve të tilla, në një kohë kur, sipas tij, vendi përballet me sfida ekonomike dhe sociale.

Bushati shtron disa pyetje mbi prioritetet e qeverisjes, duke kërkuar sqarime se përse, sipas tij, duhet të financohen me para publike aktivitete argëtuese, ndërkohë që ekzistojnë nevoja të tjera më urgjente për qytetarët.

Në reagimin e tij, ai argumenton se debati nuk duhet të fokusohet te zgjedhja mes koncertit dhe protestës, por te mënyra e përdorimit të burimeve publike dhe modeli i qeverisjes.

Sipas Bushatit, diskutimi mbi financimin e koncertit tejkalon vetë aktivitetin artistik dhe ngre çështje që lidhen me transparencën, prioritetet buxhetore dhe mënyrën e administrimit të interesit publik.

Postimi i plotë i Bushatit:

SHQIPTARËT VENDIMMARRËS, JO SPEKTATORË

Në një shoqëri demokratike njerëzit janë të lirë të bëjnë zgjedhjen që mendojnë se është më e mira për ta. Debati i stisur mes protestës dhe koncertit është përçarës dhe joproduktiv. Shqipëria ka nevojë edhe për protesta edhe për koncerte.

Dritat dhe hareja e një koncerti zgjasin pak, krahasuar me protestat disa javore që i kanë dhënë Shqipërisë një imazh ndërkombëtar që nuk ka para e koncert që e krijon. Një imazh, që pasqyron shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë e lufton me dinjitet për vendin e vet.

Shqetësues është fakti që politika nuk po reflekton ndaj shqetësimeve serioze që paraqet protesta, duke thelluar hendekun me popullin.

Protesta që filloi si zemërim për aksesin në tokë e plazh dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët natyrore është shndërruar në një frymë më të madhe që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Në atë se kush e si duhet të vendoset për të ardhmen e Shqipërisë.

Pyetjet nuk duhet të shtrohen nëse je me koncertin apo me protestën, pasi janë dy anë dhe jo dy pole, siç duan t’i trajtojnë brigadat digjitale.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje kanë lidhje me thelbin e sistemit  qeverisës që duam të ndërtojmë: Pse duhen shpenzuar paratë publike për argëtim, ndërsa vendi përballet me probleme më të mprehta ekonomike e sociale?

Pse shqiptarët duhet t’i japin miliona euro një kompanie private dhe një një artisti që nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit? Edhe sa kohë do ta trajtojmë kulturën si spektakël?

Në këto kushte, përvetësimi politik dhe financimi me paratë tona i koncertit merr rëndësi përtej koncertit dhe emrit të artistit. Pasi zbulon një model të vjetëruar qeverisës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit