

Pas denoncimeve të qytetarëve për rritje të çmimeve të shezlongëve mbi tarifat e miratuara, Bashkia Lezhë ka ndërmarrë kontrolle në zonat bregdetare, ndërsa disa subjekte janë detyruar t’u kthejnë pushuesve diferencat e paguara.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, bëri të ditur se pas ankesave të mbërritura nga qytetarët, në terren janë dërguar ekipet e Policisë Bashkiake, të cilat kanë konstatuar edhe raste të shkeljes së tarifave të përcaktuara.
Në një video të publikuar nga Ndreu, shihet një punonjës i Bashkisë që i kërkon një subjekti privat t’u kthejë pushuesve pjesën e shumës së marrë mbi çmimin e referencës të vendosur nga Bashkia.
Në fillim të sezonit turistik, Bashkia Lezhë përcaktoi tarifat orientuese për shërbimin e shezlongëve në zonat bregdetare. Çmimet nisin nga 300 lekë në Tale, 400 lekë në Kune dhe arrijnë deri në 2.000 lekë, në varësi të zonës dhe nivelit të shërbimit. Për plazhet publike, tarifa maksimale e përcaktuar është 700 lekë.
Ndreu deklaroi se ndërhyrjet janë kryer pas denoncimeve konkrete dhe se rastet e raportuara po trajtohen menjëherë nga strukturat bashkiake.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e vijës bregdetare të Lezhës është publike dhe qytetarët mund ta frekuentojnë pa pagesë ose me tarifa minimale. Ndërkohë, plazhet e administruara nga strukturat hoteliere janë të orientuara kryesisht për klientët e tyre, ndaj pushuesit duhet të informohen paraprakisht për kushtet dhe çmimet.
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se administruesit e plazheve kanë të drejtë të menaxhojnë kapacitetet e tyre, duke mos lejuar mbingarkesa që cenojnë kushtet e shërbimit.
Ndreu bëri apel që qytetarët të raportojnë rastet e shkeljeve në kohë reale, në mënyrë që ndërhyrjet të jenë të menjëhershme dhe efektive. Sipas tij, vetëm gjatë një dite, në disa stacione plazhi, pushuesve u janë rikthyer pagesat pas denoncimeve të bëra.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






