

Sistemi parauniversitar në Shqipëri po përballet me një tkurrje të ndjeshme të numrit të nxënësve, si pasojë e rënies së lindshmërisë, emigracionit dhe plakjes së popullsisë. Ky është përfundimi i raportit më të fundit të organizatës "Qëndresa Qytetare", të hartuar mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe INSTAT-it.
Sipas raportit, gjatë dhjetë viteve të fundit, arsimi bazë publik ka humbur 113.932 nxënës. Në vitin shkollor 2014–2015 ishin të regjistruar 342.765 nxënës, ndërsa në vitin 2023–2024 ky numër ka zbritur në 228.833, një rënie prej rreth 33 për qind. Kjo do të thotë se sot mungon një në tre nxënës krahasuar me një dekadë më parë.
Edhe më e thellë paraqitet rënia në arsimin e mesëm. Numri i nxënësve në gjimnaze ka rënë nga 125.517 në vitin shkollor 2014–2015 në 63.092 në vitin 2023–2024, duke shënuar një ulje prej afro 50 për qind. Sipas autorëve të raportit, kjo lidhet me efektet e kombinuara të rënies së lindjeve, emigracionit dhe largimit të të rinjve nga vendi.
Tkurrja e popullsisë shkollore ka sjellë edhe riorganizimin e rrjetit arsimor. Numri i institucioneve publike të arsimit bazë është ulur nga 1.317 në 1.014, çka nënkupton se 303 shkolla janë mbyllur, bashkuar ose riorganizuar gjatë dekadës së fundit. Në arsimin e mesëm, numri i institucioneve ka rënë nga 381 në 351.
Raporti thekson se mbyllja e shkollave ka prekur kryesisht zonat rurale dhe të thella, ku mungesa e nxënësve ka detyruar bashkimin e institucioneve ose transportimin e fëmijëve drejt shkollave të tjera.

Një tjetër tregues i ndryshimeve në sistemin arsimor janë klasat kolektive. Numri i tyre ka rënë nga 3.241 në vitin shkollor 2015–2016 në 2.253 në vitin 2025–2026, ndërsa numri i nxënësve që ndjekin mësimin në këto klasa është përgjysmuar, duke zbritur nga 35.843 në 17.864.
Sipas raportit, rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve pritet të ndikojë edhe në planifikimin e nevojave për mësues, organizimin e klasave dhe shpërndarjen e personelit arsimor, veçanërisht në zonat ku vijojnë të funksionojnë klasat kolektive.
Në themel të kësaj prirjeje qëndron rënia e lindshmërisë. Të dhënat tregojnë se numri i lindjeve në Shqipëri ka rënë nga 35.717 në vitin 2014 në 22.541 në vitin 2025, ose rreth 37 për qind më pak. Për pasojë, raporti parashikon se sistemi arsimor do të përballet edhe në vitet në vijim me breza gjithnjë e më të vegjël nxënësish.
Autorët e raportit vlerësojnë se përballimi i kësaj situate kërkon politika afatgjata që lidhin arsimin me mbështetjen për familjet e reja, zhvillimin ekonomik, migracionin dhe planifikimin territorial. Sipas tyre, në mungesë të këtyre politikave, tkurrja e popullsisë shkollore do të vijojë të sjellë mbyllje shkollash dhe sfida të reja për sistemin arsimor në të gjithë vendin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






