Transmetuar më 12-07-2026, 16:56

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin për financimin e koncertit të artistit Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar shumën prej 4 milionë eurosh si një investim me ndikim ekonomik dhe promovues për vendin.

Në një deklaratë publike, Rama tha se vlera e një aktiviteti të këtyre përmasave nuk duhet të gjykohet vetëm nga kostoja, por edhe nga përfitimet që, sipas tij, sjell për ekonominë, turizmin dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

"Pyetja më e rëndësishme nuk është thjesht sa kushtoi, por sa vlerë krijon. Një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë. Një koncert madhështor lë të ardhura për hotelet, restorantet, bizneset e transportit, logjistikës dhe sigurisë, krijon vende pune dhe të ardhura për shtetin përmes taksave", u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, organizimi i koncertit shërben gjithashtu si një mesazh për investitorët dhe turistët e huaj, duke dëshmuar se Shqipëria është një vend i sigurt dhe i aftë të organizojë ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

Rama u ndal edhe te debatet që shoqëruan koncertin, duke argumentuar se anulimi i tij do të kishte dëmtuar besimin e turistëve dhe investitorëve të huaj.

"Parafytyroni çfarë impakti negativ do të kishte anulimi i koncertit më të madh që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë, jo vetëm për turistët, por edhe për investitorët e huaj. Investimet e huaja shkojnë aty ku ka besim, siguri dhe reputacion", deklaroi ai.

Duke iu përgjigjur kritikave për shumën prej 4 milionë eurosh, kreu i qeverisë tha se fondi u përdor në momentet e fundit për të shmangur pasoja më të mëdha ekonomike dhe për të ruajtur besueshmërinë e vendit.

"Po, ato 4 milionë euro ishin një investim i bërë në minutën e fundit për të shpëtuar investime shumë më të mëdha për Shqipërinë, ekonominë e Tiranës dhe mijëra njerëz nga mbi 80 vende të botës që kishin prerë biletat për të ardhur këtu. Ishte një investim për të mos hapur një plagë të re mosbesimi ndaj Shqipërisë", tha Rama.

Kryeministri shtoi se, sipas tij, fondet nuk do të ishin përdorur nga buxheti i shtetit nëse nuk do të ishte krijuar një klimë tensioni dhe pasigurie.

"E vërteta e 4 milionëshit është edhe më e plotë se kaq. Ato para nuk do të kishin dalë nga arka e shtetit po të mos ishin bërë kërcënimet, shantazhet dhe histeria e dhunshme në rrjetet sociale", u shpreh Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit