

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas koncertit të artistit Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar atë si një ngjarje me jehonë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, e vendosi Shqipërinë në qendër të vëmendjes globale.
Në një deklaratë publike, Rama u shpreh se Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert, por një aktivitet që, falë rrjeteve sociale dhe famës botërore të artistit, u kthye në lajm në çdo cep të botës.
Sipas kreut të qeverisë, organizimi i koncertit nxiti një debat të ashpër në vend, ku, sipas tij, pati reagime të forta kundërshtuese dhe kritika të lidhura me prioritetet ekonomike të vendit.
"Mbrëmë, Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje, që falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës një lajm. Në Shqipëri, këtë herë, ngjarja u bë motiv ndasie shumë të egër, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti", deklaroi Rama.
Ai iu referua gjithashtu kritikave që lidhnin organizimin e koncertit me gjendjen ekonomike të qytetarëve, duke theksuar se zhvillimi i një vendi nuk duhet parë si një zgjedhje mes investimeve në kulturë dhe mirëqenies ekonomike.
"Kam dëgjuar të njëjtin refren: populli s’ka bukë, varfëria është në kulm, s’duam koncerte. Kjo qasje duket sikur ha debat. Ky është një keqkuptim themelor mbi mënyrën se si zhvillohet një vend. Zhvillimi nuk është bukë me madhësi fikse", u shpreh kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






