

Nëna e një prej vajzave të përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje ka folur publikisht për gjendjen e së bijës, duke kërkuar që ajo të marrë trajtim të specializuar dhe të informohet për ecurinë e saj shëndetësore.
Në një prononcim për mediat, ajo tha se problemet e vajzës kanë nisur rreth një vit më parë dhe se situata ka ndikuar edhe në arsimimin e saj, pasi sipas saj, familja është përballur me vështirësi edhe në shkollë.
“Nuk kam asnjë informacion për gjendjen e vajzës, ndaj jam shumë e shqetësuar. E kam takuar vetëm dy herë në spital dhe nuk di asgjë për analizat apo trajtimin që po merr. Vajza nuk kishte rroba të reja apo telefon, përveç atyre që ia blinim ne. Kur kthehej në shtëpi në orët e para të mëngjesit nuk më tregonte ku kishte qenë, vetëm më thoshte se kishte dalë me shoqet. Prindërit e tyre i kam njohur vetëm në polici”, deklaroi ajo.
Sipas nënës, familja i është drejtuar disa herë Policisë gjatë vitit të fundit për shkak të sjelljes së vajzës.
Ajo pretendon se problemet nisën gjatë kohës që vajza ndiqte shkollën, duke shtuar se drejtuesit e institucionit arsimor nuk i ofruan mbështetjen e nevojshme.
“Drejtoria e shkollës na nxori jashtë si prindër dhe na tha të largoheshim. Psikologia qeshte me ne. Më pas e transferuam në një shkollë tjetër, por ajo nuk pranoi ta vazhdonte. Vajza ka denoncuar edhe babanë e saj për dhunë”, tha ajo.
Në përfundim, nëna kërkoi që vajza e saj të marrë trajtim të plotë mjekësor dhe psikologjik, si edhe të informohet nga autoritetet për gjendjen e saj shëndetësore.
Ngjarja, ku disa të mitura dyshohet se dhunuan një 17-vjeçare, vijon të hetohet nga autoritetet kompetente.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






