Transmetuar më 12-07-2026, 11:01

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për ekzekutimin e 50-vjeçarit Edmond Sula në Vorë, i cili u vra pak pas mesnatës pranë banesës së tij.

Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, viktima dyshohet se është qëlluar me një plumb të vetëm, i cili është shkrepur nga një armë me precizion të lartë dhe e pajisur me dylbi.

Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është mungesa e gëzhojës në vendin e ngjarjes. Kjo ka ngritur dyshimet se autori mund të ketë qëlluar nga një distancë e konsiderueshme dhe më pas është larguar pa lënë gjurmë të dukshme.

Nga dinamika paraprake e ngjarjes, autoritetet dyshojnë se atentati mund të ketë qenë i planifikuar, ndërsa po punohet për identifikimin e personit që ka kryer ekzekutimin.

Në fokus të hetimeve është vendosur aktiviteti i viktimës, i cili merrej me shit-blerje pronash. Policia po verifikon konfliktet e mundshme që mund të kenë lindur gjatë kësaj veprimtarie, duke e konsideruar këtë një nga pistat kryesore për përcaktimin e motivit të krimit.

Grupi hetimor po mbledh prova dhe po administron të dhëna të ndryshme për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar autorin.

Ekzekutimi i Edmond Sulës ka shkaktuar tronditje në zonën e Vorës, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e autoriteteve kompetente.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit