Transmetuar më 12-07-2026, 12:57

Një trend i pazakontë po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në botën e modës dhe bizhuterive: unaza e divorcit. Ndryshe nga unaza e martesës, kjo bizhuteri nuk shënon një bashkim, por një fillim të ri pas përfundimit të një marrëdhënieje.

Argjendarë në vende të ndryshme po promovojnë idenë e krijimit të një unaze të re nga gurët apo metalet e unazave të vjetra të martesës dhe fejesës, duke i dhënë një kuptim tjetër një objekti që lidhet me të kaluarën.

Vendosja e saj në gishtin e mesit është kthyer në një deklaratë simbolike, e lidhur me atë që disa revista mode e kanë përshkruar si një periudhë të “çlirimit pas divorcit” – një mënyrë për të shprehur pavarësi, vetëbesim dhe një kapitull të ri personal.

Për shumë persona, ky trend ka edhe një aspekt financiar. Vlera e rishitjes së unazave të martesës shpesh është shumë më e ulët se çmimi fillestar i blerjes, ndaj transformimi i tyre në një bizhuteri të re shihet si një mënyrë për t’i dhënë vlerë emocionale dhe materiale një sendi të vjetër.

Sipas Kate Daly, bashkëthemeluese e kompanisë britanike Amicable, e cila ofron shërbime ndërmjetësimi për divorcet, unazat e divorcit mund të shërbejnë si një simbol i pavarësisë dhe rimarrjes së kontrollit mbi jetën personale.

Reagimet ndaj unazave të martesës pas divorcit janë të ndryshme. Disa njerëz zgjedhin t’i mbajnë për arsye praktike, madje edhe për të shmangur afrime të padëshiruara. Të tjerë i ruajnë në një vend të fshehtë si kujtim të një periudhe të kaluar.

Ka edhe nga ata që vendosin t’i heqin qafe duke i hedhur apo duke i shitur, ndërsa shumë të tjerë zgjedhin t’i transformojnë në diçka të re që lidhet me identitetin e tyre pas ndarjes.

Për disa persona, fillimi i një jete të re shoqërohet me ndryshime të tjera personale, si udhëtime, tatuazhe, blerje të veçanta, rinovime të shtëpisë apo ndryshime në stilin e jetës.

Në këtë kuptim, unaza e divorcit nuk shihet vetëm si një aksesor mode, por si një simbol i ndryshimit, rikthimit te vetja dhe hapjes së një kapitulli të ri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit