

Policia e Lezhës ka finalizuar tre operacione antidrogë në zonat e Mirditës dhe Kurbinit, ku janë arrestuar tre persona dhe janë asgjësuar 436 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer në terren nga toka dhe ajri, përmes përdorimit të dronëve, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë operacioneve janë arrestuar në flagrancë shtetasit Dritan Nikolli, Vosava Mercina dhe Jetmit Rrucaj, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.
Në fshatin Sheshaj, në Mirditë, shërbimet e policisë kanë arrestuar 21-vjeçarin Jetmit Rrucaj, banues në Durrës, pasi dyshohet se po kujdesej për 222 bimë Cannabis Sativa të kultivuara në atë zonë.
Ndërkohë, në Kurbin, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin, arrestuan 47-vjeçarin Dritan Nikolli, banues në Fshat Laç. Sipas policisë, ai u kap duke u kujdesur për 151 bimë të dyshuara narkotike.
Po në Kurbin, në lagjen “Rrahu i Pashës”, Laç, u arrestua edhe 44-vjeçarja Vosava Mercina, pasi gjatë kontrollit u gjetën 63 bimë Cannabis Sativa, për të cilat dyshohet se ajo kujdesej.
Policia bëri të ditur se të gjitha bimët narkotike të konstatuara u asgjësuan me anë të djegies.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila do të vijojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






