

Detaje të reja dalin nga atentati i rëndë në zonën e Karmës së Kirit, përgjatë aksit Kir–Prekal në Shkodër, ku 40-vjeçari Aleksandër Koçeku u ekzekutua me breshëri automatiku.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 25 gëzhoja automatiku, të cilat sipas hetuesve dyshohet se janë qëlluar nga e njëjta armë. Viktima është gjetur brenda automjetit nga një kalimtar i rastësishëm, i cili ka njoftuar menjëherë policinë.
Nga këqyrja paraprake e grupit hetimor rezulton se autorët dyshohet se i kanë ngritur pritë Koçekut në një segment rrugor malor dhe kanë qëlluar ndaj tij me breshëri, duke e lënë të vdekur në vend.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit që ka përshkuar viktima, ndërsa zona ku ndodhi atentati nuk ka kamera sigurie, duke e bërë më të vështirë identifikimin e autorëve.
Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet lidhet me një konflikt të vjetër dhe dyshimet për hakmarrje, veçanërisht me vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor të vitit 2017.
Sipas të dhënave të dosjes së asaj ngjarjeje, Artan Koçeku, vëllai i viktimës së sotme, akuzohet se ka vrarë Shkambin me armë zjarri pas një takimi mes tyre. Konflikti mes palëve dyshohet se lidhej me një borxh prej 40 mijë eurosh, por edhe me një çështje personale.
Artan Koçeku po vuan dënimin për atë vrasje, ndërsa familjarë të Aleksandër Koçekut kanë deklaruar dyshimet e tyre se atentati mund të ketë qenë një akt hakmarrjeje i lidhur me ngjarjen e vitit 2017.
Një i afërm i viktimës, Mark Koçeku, ka deklaruar se familja e tyre ndodhej në një konflikt gjaku që prej asaj kohe dhe se Aleksandër Koçeku kishte lëvizur me kujdes për shkak të frikës nga hakmarrja.
Ndërkohë, emri i Aleksandër Koçekut ishte përmendur edhe në një tjetër dosje hetimore, atë të vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka në vitin 2025. Sipas Prokurorisë së Shkodrës, ai dyshohet se ka qenë nën hetim për përfshirje në planifikimin dhe realizimin e kësaj ngjarjeje, së bashku me persona të tjerë.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit, identifikimin e autorit ose autorëve dhe sigurimin e provave që do të ndihmojnë në dokumentimin e ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






