Transmetuar më 12-07-2026, 09:58

Britania e Madhe është tronditur nga vdekja e ish-deputetes dhe ish-ministres konservatore Anne Widdecombe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në Devon. Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar një 28-vjeçar nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e saj.

Policia e Devon dhe Cornwall bëri me dije se i dyshuari u ndalua të shtunën në mbrëmje në South Yorkshire dhe aktualisht ndodhet në paraburgim. Në operacionin për arrestimin e tij morën pjesë edhe forcat kundër terrorizmit dhe policia lokale.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna që vdekja e Widdecombe të ketë lidhje me terrorizmin apo me motive politike.

Anne Widdecombe, 78 vjeçe, u gjet e vdekur të enjten në shtëpinë e saj në Haytor. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ajo kishte ndërruar jetë rreth një ditë para se trupi i saj të zbulohej. Hetuesit kanë konstatuar plagë të rënda në trupin e saj.

Ky është arrestimi i dytë në kuadër të hetimeve. Më herët, policia ndaloi një 26-vjeçar, i cili më pas u lirua dhe nuk konsiderohet më i përfshirë në këtë ngjarje.

Widdecombe ishte një nga figurat më të njohura të politikës britanike. Ajo shërbeu si deputete e Partisë Konservatore për më shumë se dy dekada, nga viti 1987 deri në vitin 2010, dhe gjatë karrierës së saj mbajti edhe poste ministrore në qeverinë konservatore.

Pas largimit nga parlamenti, ajo u angazhua në politikën e djathtë britanike, duke iu bashkuar Partisë Brexit të Nigel Farage, ndërsa në vitin 2019 u zgjodh eurodeputete. Më vonë ajo u përfshi edhe në aktivitetet e Reform UK, veçanërisht për çështjet e emigracionit.

Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta nga figura politike në Britani, ndërsa hetuesit vijojnë punën për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit