

Romë – Paolo Maldini rikthehet në skenën e futbollit italian, këtë herë në një rol drejtues. Ish-kapiteni legjendar i Milanit ka pranuar ofertën e presidentit të ri të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, duke u emëruar Drejtor Teknik i kombëtares italiane.
Maldini, i cili u largua nga drejtimi i Milanit pas disa vitesh në strukturën drejtuese të klubit ku fitoi titullin kampion në sezonin 2021-2022, do të marrë një rol kyç në organizimin sportiv të “Azzurrëve”.
Krahas tij, në këtë projekt do të jetë edhe ish-futbollisti brazilian Leonardo, i cili do të ushtrojë funksionin e këshilltarit.
Në njoftimin zyrtar, FIGC bëri të ditur: “Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, ka kënaqësinë të njoftojë se Paolo Maldini ka pranuar postin e Drejtorit Teknik të Federatës. Paolo Maldini do ta ushtrojë këtë detyrë së bashku me Leonardon si këshilltar. Giovanni Malagò do t’i besojë gjithashtu Paolo Maldinit presidencën e Club Italia”.
Sfida e parë e rëndësishme për Maldinin në detyrën e re do të jetë zgjedhja e trajnerit të ardhshëm të kombëtares italiane. Sipas mediave italiane, kandidaturat kryesore janë Roberto Mancini dhe Antonio Conte, ndërsa Mancini shihet aktualisht si një nga favoritët për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar.
Vendimi për trajnerin e ri të Italisë pritet të merret dhe të bëhet publik në ditët e ardhshme, ndërsa Maldini do të ketë rolin kryesor në përcaktimin e projektit të ri sportiv të “Azzurrëve”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






