

Berlin – Jürgen Klopp është shumë pranë emërimit si trajneri i ri i kombëtares gjermane. Palët kanë arritur një marrëveshje paraprake për kushtet kryesore të kontratës, ndërsa njoftimi zyrtar pritet pasi të zgjidhet situata kontraktuale e teknikut me kompaninë Red Bull.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf, dhe zëvendëspresidenti Hans-Joachim Watzke u takuan më 10 korrik në New York me Klopp dhe agjentin e tij Marc Kosicke. Gjatë bisedimeve u arrit një dakordësi për pikat kryesore të marrëveshjes.
Klopp pritet të firmosë një kontratë që do ta mbajë në krye të Gjermanisë deri pas përfundimit të Kupës së Botës 2030. Ai do të drejtojë skuadrën gjatë ciklit të kualifikueseve për Kampionatin Europian 2028 dhe Botërorin 2030, që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat gjermane, paga e Klopp pritet të jetë rreth 7 milionë euro në vit, pak më e lartë se ajo e trajnerit aktual Julian Nagelsmann.
Pengesa e fundit lidhet me kontratën që Klopp ka me Red Bull, ku mban postin e drejtuesit të operacioneve të futbollit. Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, Oliver Mintzlaff, pritet të takohet me Klopp në New York për të negociuar ndërprerjen e bashkëpunimit.
Edhe pse është raportuar shpesh për ekzistencën e një klauzole që do ta lejonte Klopp të largohej në rast oferte nga kombëtarja gjermane, Mintzlaff ka mohuar disa herë një mundësi të tillë. Sipas raportimeve, largimi i trajnerit do të bazohet në një marrëveshje verbale mes palëve, ndërsa Klopp pritet të vazhdojë të ketë një rol si ambasador i markës Red Bull në aspektin komercial.
DFB ka konfirmuar zyrtarisht zhvillimin e takimit në New York, duke bërë të ditur se bisedimet për emërimin e Klopp kanë avancuar.
“Presidenti i DFB dhe zëvendëspresidenti Hans-Joachim Watzke zhvilluan bisedimet e para të thelluara me Jürgen Klopp për emërimin e tij si trajner i Gjermanisë. Gjatë këtij takimi konstruktiv u arrit një marrëveshje për pikat kryesore të një kontrate të mundshme”, thuhet në deklaratën e federatës.
Palët pritet të vijojnë negociatat në ditët e ardhshme, me synimin për të finalizuar marrëveshjen dhe për të bërë zyrtar rikthimin e Klopp në drejtimin e një kombëtareje.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






