Transmetuar më 12-07-2026, 08:40

Hagë – Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës një kërkesë për lirim me kusht, duke propozuar një sërë masash dhe garancish, përfshirë edhe një garanci financiare prej 50 mijë eurosh.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Gjykata Speciale, avokatët e Thaçit argumentojnë se kushtet e propozuara janë të ngjashme me ato që u aplikuan në rastet e Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët u liruan me kusht gjatë vitit të kaluar në çështjen për pengim të drejtësisë.

Në kërkesë thuhet se Thaçi angazhohet të mos largohet nga territori i Kosovës, të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, si dhe të deklarojë adresën e banimit, të cilën nuk do ta ndryshojë pa miratimin paraprak të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja ka bërë të ditur gjithashtu se ish-presidenti është i gatshëm të depozitojë një garanci financiare prej 50 mijë eurosh si pjesë e kushteve për lirimin e tij.

Sipas kërkesës, Thaçi zotohet të mos ketë kontakte me të bashkëakuzuarit në çështjen për pengim të drejtësisë, si dhe të mos komunikojë me dëshmitarë apo persona të dyshuar në procese të tjera që po shqyrtohen nga Dhomat e Specializuara. Ai angazhohet gjithashtu të mos diskutojë për çështjen e tij me askënd, përveç ekipit mbrojtës, dhe të respektojë të njëjtin kufizim edhe në komunikimin me familjarët.

Ndër kushtet e propozuara përfshihet edhe ndalimi i deklaratave publike, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, në media dhe rrjetet sociale lidhur me procesin gjyqësor.

Po ashtu, mbrojtja propozon që Thaçi të paraqitet çdo javë në Policinë e Kosovës për verifikim, të rikthehet vullnetarisht në paraburgim nëse urdhërohet nga Gjykata dhe të jetë i pranishëm në çdo seancë ose procedurë të kërkuar nga Dhomat e Specializuara.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit