

Tiranë – Projektligji për ndryshimin e mënyrës së taksimit të pasurive të paluajtshme pritet të sjellë rritje të barrës fiskale për një pjesë të qytetarëve, ndërsa ekspertët kërkojnë që zbatimi i reformës të mbështetet në një sistem të drejtë, transparent dhe të bazuar në të dhëna të sakta të tregut.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, vlerëson se reforma ndryshon njëkohësisht bazën dhe shkallën e taksimit, duke kaluar nga sistemi aktual drejt një modeli të bazuar në vlerën e përafërt të tregut të pronës. Sipas tij, kjo pritet të sjellë rritje të detyrimeve tatimore, megjithëse ndikimi nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët.
Ai shpjegon se banesa e parë do të përfitojë zbritje deri në 50% të vlerës së tatueshme, brenda kufijve të përcaktuar nga bashkitë, ndërsa për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe kategori të caktuara pensionistësh parashikohen lehtësime. Në të kundërt, pronat në zona me vlera të larta, banesat e dyta, trualli dhe pronat me përdorim tregtar pritet të përballen me një rritje më të ndjeshme të taksës.
Haxhimali thekson se sistemi i ri për ndërtesat parashikohet të hyjë në fuqi në vitin 2029, ndërsa ai për parcelat në vitin 2031. Sipas tij, përpara zbatimit të reformës është e domosdoshme hartimi i hartave të vlerës, metodologjisë së vlerësimit dhe miratimi i vendimeve nga këshillat bashkiakë.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, argumenton se rritja e taksës duhet të vijë vetëm pasi të adresohen problemet strukturore të tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas tij, çmimet e pronave janë ndikuar nga faktorë si pastrimi i parave dhe zhvillimi urban i pakontrolluar, duke krijuar deformime që, nëse përdoren si bazë për taksim, mund të prodhojnë padrejtësi.
Preçi thekson gjithashtu se procesi i regjistrimit të pronave mbetet i papërfunduar, ndërsa tregu ka nevojë për formalizim më të madh dhe kontrolle më të forta ndaj evazionit fiskal, transaksioneve informale dhe pastrimit të parave. Ai kërkon hartimin e një harte të re dhe objektive të vlerës së pronave, si dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve përpara çdo rritjeje të barrës fiskale.
Sipas ekspertit, ndryshimet mund të kenë ndikim edhe në tregun e qirave, pasi një rritje e taksës mbi pronat e dhëna me qira mund të reflektohet në çmime më të larta për qiramarrësit. Ai shton se reforma duhet të marrë në konsideratë edhe kontributin e emigrantëve në financimin e banesave dhe bizneseve në vend.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në mënyrën e taksimit të trojeve dhe tokës bujqësore, ku detyrimi do të llogaritet mbi vlerën e tregut. Zbatimi i këtij sistemi pritet të nisë në vitin 2030, ndërsa për dy vitet e para është parashikuar një zbritje prej 50% të vlerës së tatueshme për të lehtësuar kalimin drejt skemës së re.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






