Transmetuar më 12-07-2026, 01:36

Forcat Detare të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, IRGC, njoftuan se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë, si reagim ndaj shkeljeve të Memorandumit të Bashkëpunimit nga Shtetet e Bashkuara dhe dështimit të tyre për të përmbushur angazhimet e marra.

“Ngushtica e Hormuzit është mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm dhe do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara ti japin fund ndërhyrjes së tyre në rajon. Asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë nëpër ngushticë”, thuhet në deklaratë.

Forcat detare të Gardës Revolucionare njoftuan gjithashtu se kishin qëlluar në shenjë paralajmërimi ndaj një anijeje, e cila kishte fikur sistemin AIS dhe ishte përpjekur të dilte nga Ngushtica e Hormuzit përmes korridorit detar të Omanit.

Sistemi Automatik i Identifikimit, AIS, është një sistem monitorimi detar që përdor frekuencat radiofonike VHF për të transmetuar automatikisht identitetin, pozicionin, shpejtësinë dhe drejtimin e një anijeje te mjetet e tjera lundruese dhe stacionet tokësore në afërsi.

Sipas informacioneve, Irani ka përdorur një raketë lundruese për ta “paralajmëruar” anijen, por ende nuk dihet nëse ajo është goditur.

Foto nga arkivi e motoskafëve që i përkasin Marinës së Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC)

Deklarata e plotë e Iranit

Në një deklaratë të mëparshme kishim bërë të ditur se ndërhyrja e huaj dhe ndryshimi i paligjshëm i itinerarit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit do të shkaktonin një reagim vendimtar dhe do të sillnin pasoja për qarkullimin në ngushticë.

Disa orë më parë, këto paralajmërime u shpërfillën. Të nxitura nga forca të huaja, disa anije u përpoqën të devijonin nga itinerari i përcaktuar, konkretisht nga korridori iranian ndërmjet ishujve Qeshm dhe Larak, duke mos marrë parasysh paralajmërimet dhe udhëzimet tona për të korrigjuar drejtimin dhe për të qëndruar brenda itinerarit të caktuar.

Për pasojë, ndaj njërës prej anijeve, e cila kishte çaktivizuar sistemet e saj dhe kishte vënë në rrezik sigurinë detare, u qëllua në shenjë paralajmërimi, duke e detyruar atë të ndalonte.

Pas këtij incidenti, së pari, për shkak të kësaj shkeljeje të sigurisë, të shkaktuar nga ndërhyrja e paligjshme e forcave të huaja, Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet përkohësisht deri në një njoftim të dytë dhe derisa të përfundojë ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në rajon. Asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë.

Së dyti, nëse armiku agresor, duke shfrytëzuar këtë incident që e shkaktoi vetë, kryen ndonjë gabim ose shkelje tjetër kundër nesh, do të përballet me forcë dhe bazat e tjera armike në rajon do të bëhen objektiva.

Pasojat e një ndërhyrjeje të tillë do të bien mbi armikun amerikan dhe sionist, si dhe mbi vendet që kanë vënë territoret e tyre në dispozicion për ngritjen e bazave armike, nga të cilat synohet të realizohen këto kërcënime.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit