

Vrasja e Aleksandër Koçekut, mbrëmjen e së shtunës në aksin Prekal–Kir në Dukagjin të Shkodrës, dyshohet se mund të lidhet me një konflikt të mëparshëm dhe me pistën e gjakmarrjes.
Një i afërm i viktimës, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, deklaroi për mediat se Koçeku nuk kishte probleme të tjera të njohura. Sipas tij, e vetmja pistë që mund të shpjegojë atentatin lidhet me vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje për të cilën një pjesëtar i familjes Koçeku ndodhet në burg.
“Siç e dini të gjithë, ne kemi një person në burg për atë histori, që ka pasur gjak borxh diku. Për ndonjë problem tjetër nuk di gjë”, deklaroi familjari.
Ai konfirmoi gjithashtu se Aleksandër Koçeku tregonte kujdes për sigurinë e tij, por ishte i detyruar të vazhdonte punën për të siguruar jetesën.
Vrasja e Pavlin Prekës
Pavlin Preka u vra në shkurt të vitit 2025, ndërsa pista kryesore e hetimit lidhet me një konflikt të hershëm për shkak të dëshirës së tij për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut.
Sipas hetimeve, historia kishte nisur rreth vitit 2022, kur Preka, në atë kohë 17 vjeç, i kishte kërkuar familjes Koçeku dorën e vajzës, e cila ishte vetëm 13 vjeçe. Kërkesa ishte refuzuar nga babai i saj për shkak të moshës së mitur.
Megjithatë, sipas burimeve të hetimit, gjatë viteve në vijim Preka kishte vazhduar të shprehte interes për vajzën. Familja Koçeku nuk e kishte pranuar marrëdhënien, duke e konsideruar të papërshtatshme për shkak të moshës së saj.
Prokuroria dyshon se ditën e ngjarjes, Klaudio Lisaj, i njohur si me viktimën, ashtu edhe me familjen Koçeku, e kishte nxjerrë të riun nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve, Vasel Koçeku e kishte qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen.
Trupi i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej telefonatave. Për ngjarjen u arrestuan Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa Aleksandër Koçeku u vendos nën hetim.
Sipas pistës kryesore, konflikti lidhej me kundërshtimin e familjes ndaj marrëdhënies së pretenduar të të riut me vajzën e njërit prej të dyshuarve. Megjithatë, hetuesit po analizojnë edhe elemente të tjera që mund të kenë ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit.
Pas vrasjes së Aleksandër Koçekut, Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për administrimin e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit ose autorëve.
***
Vetëm pak orë më parë, Prokuroria e Shkodrës zgjati edhe me 3 muaj të tjerë hetimet ndaj të dyshuarve për vrasjen e Pavlin Prekës, duke arsyetuar se ka ende veprime hetimore për të kryer, me qëllim zbardhjen e krimit të rëndë.
“Duke analizuar provat e mbledhura deri më tani rezulton se shtetasi Vasel Koçeku, Aleksandër Koçeku dhe Klaudio Lisaj në bashkëpunim mes tyre kanë përgatitur planin dhe kanë realizuar vrasjen e viktimës Pavlin Preka për shkak të qëllimeve dhe veprimeve të tij për “grabitjen” e vajzës së shtetasit Vasel Koçeku për t’u fejuar, pa pëlqimin e vajzës, emrin e së cilës e ka tatuazh edhe në qafë.
Sipas informacioneve të administruara dyshohet se shtetasi Klaudio Lisaj ka qenë lidhje shoqërore me viktimën, ka dijeni për ngjarjen, si dhe është lidhje familjare e shtetasit Vasel Koceku, pasi bashkëshortja e këtij të fundit është halla e Lisajt”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.
Sipas të dhënave – theksohet në dosje – autorët e dyshuar të vrasjes janë Vasel Koceku, babai i vajzës që donte viktima. Ndërsa Aleksandër Koceku, kushëri me Vasel Kocekun, dyshohet të ketë marrë pjesë në ngjarje.
“Në vijimësi janë kryer edhe një sërë veprimesh të tjera, të cilat nuk janë arritur të kryhen brenda afatit 3-mujor. Gjithashtu nuk është bërë e mundur të administrohen të gjitha aktet e ekspertimeve të tjera, pyetja e të gjithë dëshmitarëve dhe personave të dyshuar dhe, pas kryerjes së këtyre veprimeve hetimore, harmonizuar me provat e grumbulluara dhe ato që do të diktohen në vijimësi, do të bëhet përfundimi i hetimeve paraprake”, thuhet në dokument.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






