

Ka nisur koncerti i Kanye West në Tiranë, një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara në Shqipëri, ku mijëra fansa shqiptarë dhe të huaj janë mbledhur në stadium për të ndjekur performancën e artistit amerikan.
Pamjet nga “Eagle Stadium” tregojnë atmosferën festive dhe skenën e përgatitur posaçërisht për këtë event, ku Kanye West pritet të interpretojë për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar.
Koncerti në kryeqytetin shqiptar shënon performancën e parë të reperit amerikan në Ballkan, duke e vendosur Tiranën në qendër të vëmendjes së fansave të tij nga rajoni dhe më gjerë.
Kanye West, i njohur edhe me emrin artistik Ye, konsiderohet një prej figurave më me ndikim në muzikën hip-hop. Gjatë karrierës së tij ai ka publikuar albume të suksesshme si “The College Dropout”, “Graduation”, “808s & Heartbreak” dhe “Donda”, ndërsa është vlerësuar me 24 çmime Grammy.
Përveç muzikës, West ka krijuar një emër edhe në industrinë e modës përmes markës “Yeezy”, ndërsa është renditur nga revista “Time” ndër njerëzit më me ndikim në botë.
Arena e krijuar për këtë koncert ka një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh, duke e bërë këtë aktivitet një nga organizimet më të mëdha muzikore të mbajtura ndonjëherë në vend.





Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






