Transmetuar më 11-07-2026, 21:22

Bilanci i viktimave nga dy tërmetet që goditën Venezuelën më 24 qershor ka shkuar në 4333 të vdekur.

Shifrën e re e bëri publike të shtunën Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili njoftoi gjithashtu se 315 prej viktimave ende nuk janë identifikuar.

Numri zyrtar i të plagosurve mbetet 16 740 persona, ndërsa 6462 qytetarë janë shpëtuar dhe rreth 17 mijë të tjerë kanë mbetur pa strehë si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet sizmike.

Sipas Rodriguez, shpërndarja e banesave për familjet e prekura pritet të nisë javën e ardhshme, me 200 shtëpitë e para që do t’u akordohen personave të prekur nga fatkeqësia.

Nga të dhënat e publikuara rezulton se 856 ndërtesa janë dëmtuar, ndërsa 190 prej tyre janë shembur plotësisht ose kanë pësuar dëmtime të rënda strukturore.

Autoritetet venezueliane vlerësojnë se nevojiten rreth 25 mijë banesa të reja për të përballuar nevojat e të prekurve. Ndërkohë, janë identifikuar rreth 40 parcela toke për ndërtimin e komplekseve të reja të banimit në zonat Osma dhe Chuspa.

Operacionet e kërkimit vijojnë ende, ndërsa autoritetet shprehen se ekipet e emergjencës po punojnë në disa zona ku ekziston ende mundësia për gjetjen e të mbijetuarve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit