Transmetuar më 11-07-2026, 20:31

Aleksandër Koçeku është gjetur i vrarë brenda automjetit të tij në rrugën Prekal–Kir, në zonën e Dukagjinit.

Koçeku ishte nën hetim për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, i cili u ekzekutua më 27 shkurt 2025 pranë banesës së tij në Guci të Re.

Pas kësaj ngjarjeje, Policia e Shkodrës arrestoi Vasel Koçekun, 43 vjeç, dhe Klaudio Lisajn, 20 vjeç, ndërsa Aleksandër Koçeku u vendos nën hetim si person i dyshuar për përfshirje në krim.

Vetëm pak orë përpara se të gjendej i vrarë, Prokuroria e Shkodrës kishte vendosur zgjatjen edhe me tre muaj të hetimeve për vrasjen e Pavlin Prekës, me argumentin se ende kishte veprime hetimore dhe ekspertime të pakryera.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Vasel Koçeku, Aleksandër Koçeku dhe Klaudio Lisaj dyshohej se kishin bashkëpunuar në përgatitjen dhe realizimin e vrasjes së 20-vjeçarit.

Hetuesit dyshojnë se konflikti lidhej me synimin e Pavlin Prekës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut pa pëlqimin e saj. Viktima kishte tatuazhuar në qafë edhe emrin e vajzës.

Në dokumentin e Prokurorisë thuhet se Klaudio Lisaj kishte marrëdhënie shoqërore me viktimën dhe lidhje familjare me Vasel Koçekun, pasi bashkëshortja e këtij të fundit është halla e tij.

Ndërsa Vasel Koçeku dyshohej si një nga autorët kryesorë të vrasjes, Aleksandër Koçeku, kushëri i tij, dyshohej se kishte marrë pjesë në ngjarje.

Prokuroria kishte kërkuar kohë shtesë për administrimin e ekspertimeve, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe personave të dyshuar, si dhe për kryerjen e veprimeve të tjera të nevojshme për përfundimin e hetimeve.

Ndërkohë, rrethanat e vrasjes së Aleksandër Koçekut në rrugën Prekal–Kir mbeten ende për t’u zbardhur.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit