Transmetuar më 11-07-2026, 20:23

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, gjatë fjalës së saj në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, deklaroi se mobilizimi i qytetarëve gjatë 42 ditëve të fundit ka treguar se shoqëria shqiptare është e aftë të ndërtojë një Shqipëri të re dhe të organizohet brenda dhe jashtë vendit.

Vatnikaj falënderoi punonjësit e medias për ndjekjen e protestave, ndërsa u shpreh se lëvizja qytetare është përhapur në disa qytete të vendit, si edhe në diasporë.

“E nis me falënderim për punonjësit e medias që na kanë shoqëruar për 42 ditë në çdo protestë dhe marshim. Për 36 vjet na vodhën, dhunuan, rropatën, na lanë pa arsim dhe na quajtën kriminel. Ajo që ndodhi për 36 vjet u përmbys në 42 ditë. Në 42 ditë shoqëria shqiptare doli në rrugë më shumë se kurrë. Të gjithë së bashku në solidaritet. Në 42 ditë shoqëria shqiptare tregoi se jo çdo popull meriton qeverinë që ka. Shoqëria shqiptare nuk e meriton Edi Ramën kryeministër. Në 42 ditë shoqëria shqiptare tregoi se nuk e meriton Belinda Ballukun zv.kryeministre.

Në 42 ditë kemi treguar se jo vetëm jemi qytetarë, por se dimë të artikulohemi politikisht, se dimë të ndërtojmë një Shqipëri të re pa hajdutë në krye të shtetit. Kjo revoltë që shpesh ngatërrohet se po ndodh vetëm në Tiranë, po ndodh në të gjithë Shqipërinë. E keni parë si është organizuar Vlora, Durrësi, Korça, Lezha, të gjitha qytetet. E keni parë si në 42 ditë janë organizuar shqiptarët në çdo cep të Europës, Amerikës ku jetojnë. Ja pra jemi sot me të njëjtën thirrje si ditën e parë. Menduan se Botërori do të na mposhtte. Ne jemi këtu, se vapa do të na mposhtte, jemi në shesh. Jemi sot njësoj si ditën e parë duke kërkuar: Rama, jep dorëheqjen”, tha Vatnikaj.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit