Transmetuar më 11-07-2026, 19:03

Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhënien e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si edhe raportet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një takimi me të rinjtë në Jalë.

Rama theksoi se ka respektuar gjithmonë institucionet e Kosovës dhe se nuk ka ndërhyrë në çështjet e saj të brendshme, ndërsa u ndal edhe te një takim që, sipas tij, kishte lehtësuar mes përfaqësuesve politikë në Maqedoninë e Veriut.

“Unë qysh herët e kam pasur vijën time të kuqe, nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet, Kosova ka institucionet e veta. Ka qenë një kohë ku i tregohej Kosovës çfarë duhet të bënte, kanë qenë vite brutale që kanë sjellë vetëm dëme. Në bashkëpunim me Maqedoninë kemi pasur një tryezë, nuk e kujtoj vitin, unë kam lehtësuar takimin mes tyre. Nuk ishte e lehtë, të uleshin në tryezë, por ishte kërkesë e tyre nuk ishte nxitja ime. Kur kanë ardhur nuk rrinin dot në një sallë me njëri-tjetrin.

Unë kam një miqësi që nuk e mohoj me Ali Ahmetin, po askush nuk thotë dot me fakte që unë të kem hyrë në fushatë, larg qoftë. Kam qenë gjithmonë respektues.

Ndërkohë Kosova nuk varet nga Shqipëria, unë Albinin e takoj me kënaqësi se na ecën muhabeti, po të kishte kamera në takimet tona do të habitej e gjithë bota. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe shmangien e retorikës nacionaliste.

“Shqiptarët duhet që të bëjnë shumë kujdes, flas këtu për rajonin, duhet të bëjnë kujdes që mos ta bëjnë si lopa që t’i bien me shqelm qumështit që është mbledhur me shumë sakrifica, ku jemi popullsi shtet-formuese. Pa popullsi shqiptare nuk ka Maqedoni të Veriut, kjo është një arsye për të kuptuar jo kapacitetin destruktiv, por nevojën për të pasur një bashkëjetesë harmonike me maqedonasit e Veriut. Nuk jemi në kohën që duhet të kapim daullet e nacionalizmave dhe që duhet t’i biem dam dam-eve të ‘kush jam unë e kush je ti’. Ne duhet të jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë dhënë një kontribut. Do të vazhdojmë të jemi përpara që të jemi si qengji i urtë që pi dy nëna”, tha Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit