

Tiranë, 11 korrik 2026 – Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një proces monitorimi të tregut të shitjes me pakicë, me fokus çmimet e produkteve bazë të konsumit të përditshëm në supermarketet kryesore që operojnë në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar, iniciativa vjen pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura në Kuvend lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe artikujve të tjerë të domosdoshëm për konsumatorët.
Monitorimi do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2025 deri në qershor 2026 dhe synon të analizojë ecurinë e çmimeve, strukturën e konsumit dhe të dhënat mbi shitjet në tregun e pakicës.
Në kuadër të këtij procesi, Autoriteti i Konkurrencës u ka kërkuar subjekteve tregtare të paraqesin informacion të detajuar mbi shitjet e realizuara gjatë periudhës së monitorimit, si edhe listën e 30 produkteve me peshën më të madhe në xhiron e tyre. Këto produkte do t’i nënshtrohen një analize krahasuese për të vlerësuar sjelljen e çmimeve dhe dinamikën e tregut.
Shqetësimet për rritjen e kostos së jetesës mbështeten edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT). Sipas raportit më të fundit, inflacioni vjetor në muajin qershor 2026 arriti në 3,2%, nga 2,4% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e inflacionit është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe kostove të qirasë, dy kategori që zënë një peshë të konsiderueshme në buxhetin e familjeve shqiptare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






