

Një 72-vjeçar ka humbur jetën pasditen e së shtunës, pasi banesa e tij në lagjen nr. 13 të qytetit të Korçës u përfshi nga flakët.
Viktima është identifikuar si Urim Hysolli. Sipas informacioneve paraprake, ai ishte rikthyer prej pak javësh në apartamentin e tij, të cilin prej rreth 10 vitesh e kishte dhënë me qira dhe jetonte së bashku me qiramarrësit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se disa ditë më parë, 72-vjeçari dyshohet se kishte tentuar t’i vinte zjarrin banesës, por flakët ishin shuar në kohë nga qiramarrësi.
Edhe pasditen e sotme, sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, i moshuari i ka vënë sërish zjarrin apartamentit, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën.
Megjithëse në vendngjarje mbërritën shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë, 72-vjeçari nuk mundi të shpëtohej. Dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi.
Për arsye sigurie, banorët e pallatit u evakuuan, ndërsa forcat zjarrfikëse vunë nën kontroll flakët dhe vijuan punën për shuarjen e plotë të zjarrit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetuesit po marrin në pyetje banorët e pallatit dhe qiramarrësit, ndërsa pritet që ekspertiza të përcaktojë shkakun përfundimtar të zjarrit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






