

Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, ka deklaruar se protestat e zhvilluara së fundmi në vend kanë shkaqe reale që lidhen me problematikat e qytetarëve, ndërsa theksoi se algoritmet e rrjeteve sociale nuk janë arsyeja e tyre, por ndikojnë në përhapjen e dezinformimit dhe përshkallëzimin e tensioneve.
Deklaratat u bënë gjatë një bashkëbisedimi me të rinj në aktivitetin "RinCamp 2026", që po zhvillohet në Jalë.
Rama sqaroi se nuk ka pretenduar asnjëherë se algoritmet janë organizatorët e protestave, por se ato veprojnë si një mekanizëm që favorizon përhapjen e përmbajtjeve negative, videove të manipuluara dhe lajmeve të rreme.
“Unë nuk kam thënë që algoritmi ishte arsyeja e protestës. Protesta ka arsye që lidhen me të përditshmen dhe ato duhen kuptuar. Algoritmi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës dhe dezinformimit”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, çdo protestë përçon mesazhe që duhen analizuar, ndërsa detyra e qeverisë është të kuptojë shqetësimet reale të qytetarëve, por edhe të dallojë, sipas tij, përpjekjet për manipulim nga aktorë të tjerë.
Duke folur për protestat kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe Sazan, Rama tha se debati publik është ndikuar nga dezinformimi. Ai mohoi pretendimet se qeveria ka shitur pronë publike, duke deklaruar se shteti shqiptar vijon negociatat për të qenë pjesë si pronar në investimin e planifikuar në ishullin e Sazanit.
“Sikur të besoja atë që u tha për Zvërnecin, do të isha edhe unë në protestë. Realiteti është krejt ndryshe. Nuk është shitur as Sazani dhe as Zvërneci. Përkundrazi, Shqipëria synon të jetë pjesë si pronare në këtë sipërmarrje dhe për këtë arsye ende nuk kemi një marrëveshje”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes shqetësimeve legjitime të qytetarëve dhe ndikimit të dezinformimit, duke theksuar se adresimi i problemeve reale duhet të ecë paralelisht me informimin e saktë të publikut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






