

Policia Kufitare e Vlorës ka ndëshkuar me gjoba administrative dy drejtues mjetesh lundruese, pasi u konstatuan duke lundruar pranë bregut dhe duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.
Sipas njoftimit të Policisë, një prej rasteve u evidentua në plazhin e Semanit, ku drejtuesi i një motori uji (Jet Ski), i identifikuar me inicialet E. D., u kap duke lëvizur brenda zonës së ndaluar për mjetet lundruese. Për shkeljen e konstatuar, ai u gjobit me 500 mijë lekë të rinj dhe mjeti iu bllokua administrativisht.
Rasti i dytë u regjistrua pranë plazhit të Hidrovorit, në afërsi të Zvërnecit, ku shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një gomone që lundronte brenda perimetrit të sigurisë, pranë pushuesve. Gjatë verifikimeve rezultoi se drejtuesi i saj, me inicialet J. H., nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendos një masë administrative prej 510 mijë lekësh të rinj, ndërsa edhe gomonia u bllokua administrativisht.
Policia e Shtetit u bën apel të gjithë drejtuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese, si dhe subjekteve që operojnë me to, të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik dhe çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






