Transmetuar më 11-07-2026, 13:05

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka lëshuar një paralajmërim për rrezik të lartë të zjarreve në disa zona të vendit, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditës së sotme dhe të dielës.

Sipas njoftimit, gjatë pasdites së sotme dhe nesër pritet nivel rreziku "i lartë" në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat. Në qarqet e tjera të vendit parashikohet nivel rreziku "i moderuar".

IGJEUM bën të ditur se edhe në disa zona të veçanta të qarqeve Shkodër, Dibër dhe Vlorë pritet rrezik lokalisht "i lartë", përkatësisht në jug të Shkodrës, perëndim të Dibrës dhe veriperëndim të Vlorës. Sipas institutit, situata më kritike parashikohet gjatë ditës së sotme.

Sa i përket motit, për pasditen e sotme nuk parashikohen reshje. Ndërkohë, nesër priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë, ndërsa reshje lokale me intensitet të ulët priten edhe në qarqet Lezhë, Tiranë dhe Elbasan.

Temperaturat nesër do të luhaten nga 20 deri në 31 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 17 deri në 35 gradë në zonat e ulëta dhe nga 14 deri në 30 gradë në zonat malore. Era pritet të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit