Transmetuar më 11-07-2026, 12:53

Pak orë para koncertit të reperit amerikan Kanye West, i planifikuar të nisë në orën 20:00, kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e stadiumit të përfunduar ku do të zhvillohet eventi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilëson koncertin si një ngjarje me ndikim ndërkombëtar, duke theksuar se ai do ta vendosë Shqipërinë në hartën globale të adhuruesve të muzikës dhe do të ndikojë pozitivisht në promovimin e vendit si destinacion turistik.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe kritikave lidhur me koston e organizimit të koncertit, duke argumentuar se fondi prej 4 milionë eurosh duhet parë si një investim dhe jo si shpenzim.

Sipas Ramës, fluksi i vizitorëve gjatë ditëve të fundit ka sjellë rritje të prenotimeve në hotele, apartamente turistike, restorante, bare, dyqane dhe shërbime transporti, ndërsa të ardhurat nga rritja e konsumit pritet të kompensojnë investimin.

Ai e konsideroi koncertin një formë të "marketingut global" për Shqipërinë, duke theksuar se organizimi i eventeve të kësaj përmase është një praktikë e ndjekur edhe nga vende të zhvilluara europiane për promovimin e imazhit dhe zhvillimin e turizmit.

Në fund të reagimit, Rama u shpreh se anulimi i koncertit do të dëmtonte imazhin e vendit, ndërsa nënvizoi se Shqipëria përfiton duke organizuar aktivitete ndërkombëtare që tërheqin vëmendjen e botës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit