Transmetuar më 11-07-2026, 10:45

Në Fier, prokuroria formuloi akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë për vajzat që akuzohen se futën në një banesë shoqen e tyre dhe e dhunuan atë verbalisht e fizikisht duke filmuar skenat që më pas dolën në rrjet.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier pranoi kërkesat e Prokurorisë dhe vendosi ‘Arrest me burg’ për shtetasen L.L., ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen e mitur K.G., dhe ‘Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik’ për shtetasen e mitur M.R.

Që të treja akuzohen për kryerjen e veprës penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’ e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim.

Ngjarja ndodhi në 9 qershor dhe për prokurorinë ka fakte të cilat kanë ngritur dyshimin e arsyeshëm për ekzistencën e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim.

Faktet e evidentuara deri në këtë fazë të hetimit kanë diktuar nevojën për marrjen e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim, thuhet në dosjen e prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

Flet nëna e një prej të dyshuarave

Mes reagimeve që ka sjellë ngjarja e rëndë e dhunimit të një 17-vjeçareje në Fier, kanë folur edhe prindërit e njërës prej vajzave të përfshira në këtë rast.

Ata tregojnë se ngjarjen e kanë mësuar fillimisht përmes mediave dhe më pas janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre.

Nëna e 15-vjeçares tha se i kërkon falje publike vajzës së dhunuar dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje të thellë për atë që ka ndodhur.

“Më mori policia, nuk di gjë. Ju kërkoj ndjesë prindërve të asaj goce. Sikur të më kishte ndodhur mua, do t’i kërkoja 100 herë ndjesë. Jam shumë e prekur, sikur t’ia kishin bërë fëmijës tim. Jam shumë e prekur. Po vajzën e kemi çuar për ta vizituar dhe është me probleme. Psikologia e shkollës e ka marrë, por s’ka bërë asgjë.

Unë kërkoj shërim të plotë të gocës, sepse e kemi me probleme të shëndetit mendor dhe nuk kam fare gjendje ekonomike. Nuk e përballoj dot mjekimin. I kërkoj ndjesë familjes së vajzës dhe asaj vajzës”, u shpreh e ëma e 15-vjeçares.

Prindërit bëjnë me dije se vajza e tyre është diagnostikuar 3 muaj me pare me probleme të shëndetit mendor dhe se prej kohësh kanë kërkuar ndihmë pranë institucioneve për trajtimin e saj. Sipas tyre, ajo kishte shfaqur edhe më parë episode agresiviteti, por kërkesat për mbështetje nuk kanë marrë përgjigjen e nevojshme.

Ata theksojnë se nuk synojnë të justifikojnë veprimet e së bijës, por kërkojnë që, krahas përgjegjësisë ligjore për ngjarjen, të mos neglizhohet nevoja për trajtimin e problemeve të saj shëndetësore.

Nëna e të dëmtuarës: Vajzën ma dhunuan brutalisht 

Nëna e shqetësuar tregoi se vajza e saj 17-vjeçare është dhunuar brutalisht nga tre bashkëmoshataret e saj brenda ambienteve të një banese në qytetin e Fierit.

Vajza ishte ftuar nga shoqet e saj me pretekstin për të sqaruar një bisedë, por takimi ka përfunduar në një akt të rëndë dhune fizike, ndërsa njëra prej tyre filmonte dhe nxiste agresionin.

Ngjarja është denoncuar në Policinë e Fierit nga prindërit e 17-vjeçares një ditë pas episodit.

Megjithatë, sipas familjarëve dhe fqinjëve, institucionet nuk kanë reaguar me masat e duhura, çka ka bërë që rasti të rikthehet në vëmendje vetëm pas publikimit të videos.

Sipas të afërmve, e mitura me inicialet P.D. kishte ndërprerë shkollën për të ndjekur një kurs parukerie, me synimin për të siguruar një profesion.

Nëna e 17-vjeçares tha se është thellësisht e shqetësuar për gjendjen psikologjike të vajzës së saj dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.

Ajo thotë se jeton me frikë edhe për sigurinë e fëmijëve të tjerë të mitur të familjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit