Transmetuar më 11-07-2026, 07:38

SHBA – Mikel Merino po konfirmohet si njeriu i momenteve vendimtare për Spanjën. Mesfushori 30-vjeçar ka veshur sërish kostumin e heroit në Kupën e Botës 2026, duke shënuar gola deçizivë që e kanë ndihmuar "Furinë e Kuqe" të sigurojë një vend mes katër skuadrave më të mira të turneut.

I lindur në Pamplona, Merino e nisi karrierën te Osasuna, përpara se të transferohej te Borussia Dortmund dhe më pas te Newcastle. Emri i tij mori peshë të madhe gjatë gjashtë sezoneve me Real Sociedad, ku zhvilloi 242 ndeshje, shënoi 27 gola dhe fitoi Kupën e Mbretit. Në verën e vitit 2024 ai u transferua te Arsenali për 32 milionë euro, ku vijoi të spikaste me paraqitjet dhe golat e tij.

Mesfushori 1.88 metra i gjatë është bërë sinonim i golave vendimtarë. Në karrierën e tij ka realizuar mbi 50 gola me klubet, ndërsa me kombëtaren spanjolle ka shënuar 12 herë, shumë prej tyre në ndeshjet më të rëndësishme.

Momenti që e ktheu në një hero kombëtar erdhi në Euro 2024, kur në minutën e 119-të shënoi me kokë ndaj Gjermanisë në çerekfinale, duke i dhënë Spanjës kualifikimin drejt trofeut europian.

Merino vijoi të ishte protagonist edhe në Ligën e Kombeve, ku realizoi golin e barazimit në minutën e 93-të ndaj Holandës dhe gjeti rrugën e rrjetës edhe përballë Francës.

Edhe në Botërorin 2026 ai po tregon të njëjtën aftësi për të vendosur ndeshjet. Fillimisht i mjaftuan vetëm gjashtë minuta për të shënuar golin e fitores ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-ve, ndërsa më pas vetëm 115 sekonda si zëvendësues për të vulosur suksesin ndaj Belgjikës në çerekfinale.

Sipas statistikave të MisterChip, Merino u bë lojtari zëvendësues që ka shënuar më shpejt për Spanjën në një Kupë Bote, si edhe futbollisti i parë që vendos dy ndeshje me eliminim direkt me gola të realizuar në minutat e fundit.

"Kur futesh nga stoli duhet të besosh se mund të bësh diferencën. Hyra me uri dhe energji dhe jam i lumtur që gjithçka po funksionon", u shpreh Merino pas suksesit ndaj Portugalisë.

Historia bëhet edhe më e veçantë po të merret parasysh se vetëm pak muaj më parë mesfushori iu nënshtrua një operacioni për një frakturë stresi në këmbën e djathtë. Rikthimi i tij për Botërorin dukej i pamundur, por Merino jo vetëm që ia doli të rikuperohej në kohë, por është shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të Spanjës në rrugën drejt finales.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit