

TIRANË – Mbi një e katërta e popullsisë në moshë pensioni në Shqipëri po përballet me rrezikun e varfërisë ekstreme, ndërsa pensionet mbeten shumë larg kostos reale të jetesës. Të dhënat zyrtare tregojnë se, pavarësisht rritjes ekonomike të vendit në vitet 2021–2025, përfitimet nuk janë reflektuar te pensionistët.
Sipas statistikave, pensioni mesatar për ata që dolën në pension gjatë vitit 2025 ishte rreth 16 mijë lekë në muaj, 3% më i ulët se një vit më parë. Ndërkohë, 55% e pensionistëve përfitojnë pension të pjesshëm, me një pagesë mesatare prej vetëm 13,500 lekësh, shumë poshtë nivelit të nevojshëm për të përballuar shpenzimet bazë.
Ekspertët theksojnë se kjo situatë bie në kontrast me statusin e Shqipërisë si vend me të ardhura mesatare të larta. Sipas standardit të Bankës Botërore, kufiri minimal i varfërisë për këtë kategori vendesh është rreth 249 dollarë në muaj, ndërsa pensionet shqiptare mbeten dukshëm nën këtë nivel.
Problemet nuk lidhen vetëm me vlerën e ulët të pensioneve, por edhe me presionin në rritje mbi skemën e sigurimeve shoqërore. Gjatë vitit 2025 numri i pensionistëve arriti në 641 mijë, ndërsa raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve vijon të përkeqësohet për shkak të plakjes së popullsisë, emigrimit të të rinjve dhe informalitetit në tregun e punës.
Një tjetër tregues shqetësues është rritja e pensioneve të pjesshme. Nga mbi 54 mijë pensione të reja urbane të dhëna gjatë vitit 2025, rreth 85% u përkasin personave që nuk plotësuan vitet e nevojshme të sigurimeve, duke përfituar pagesa shumë të ulëta.
Raporti evidenton gjithashtu përkeqësimin e shkallës së zëvendësimit, pra raportin mes pensionit dhe pagës mesatare. Në vitin 2025 pensioni mesatar përfaqësonte vetëm 30% të pagës mesatare, nga 38% që ishte në vitin 2021, duke mbetur nën standardin minimal prej 40% të rekomanduar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.
Sipas analizës, fuqia blerëse e pensionistëve është dobësuar ndjeshëm për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, ilaçeve dhe shërbimeve, ndërsa shumë të moshuar detyrohen të mbështeten te familjarët ose të vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension për të përballuar jetesën.
Raporti ngre alarmin se, pa reforma të thella në sistemin e pensioneve dhe zgjerim të bazës së kontribuuesve, presioni mbi skemën do të vijojë të rritet, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare dhe mirëqenien e qindra mijëra pensionistëve në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






