Transmetuar më 10-07-2026, 23:10

KOSOVË – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë shprehur gatishmëri për të vijuar bisedimet në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.

Takimi i zhvilluar të premten nuk solli një marrëveshje konkrete, por të dy liderët deklaruan se synojnë t’i japin fund krizës politike dhe institucionale që ka prekur vendin prej afro dy vitesh, duke shmangur mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kurti tha pas takimit se mbetet optimist për arritjen e një dakordësie, ndërsa theksoi se bisedimet do të vijojnë në ditët në vazhdim.

“Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim këtu me ju. Unë jam optimist”, deklaroi Kurti.

Në takim mori pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e LDK-së me synim rizgjedhjen në postin e presidentes.

Kurti bëri të ditur se diskutimet janë përqendruar në formimin e të gjitha institucioneve të vendit, ndërsa kujtoi se ekziston ende afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Nga ana tjetër, Abdixhiku tha se palët janë dakordësuar të vijojnë komunikimin si mundësinë e vetme për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë”, u shpreh kreu i LDK-së.

Ai theksoi se partia e tij kërkon stabilitet institucional dhe balancë demokratike, duke nënvizuar nevojën për institucione funksionale.

Çështja kryesore në bisedimet mes palëve mbetet zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës. Për këtë proces nevojiten 80 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit prej 120 mandatesh, ndërsa një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së do të siguronte numrin e nevojshëm për zhvillimin e votimit.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi zgjedhjet e 7 qershorit me 53 mandate, pritet të kërkojë mbështetjen e partive të tjera për formimin e institucioneve të reja. Me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, partia e Kurtit mund të arrijë numrin e nevojshëm për krijimin e qeverisë.

Ndërkohë, përpjekjet për marrëveshje me partitë e tjera opozitare nuk kanë sjellë rezultat. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deklaroi pas takimit me Kurtin se kjo parti do të qëndrojë në opozitë, ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, refuzoi ftesën për takim.

Bisedimet e reja vijnë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas afateve kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, ndërsa zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.

Në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues, vendi mund të përballet me shpërndarjen e Kuvendit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit