

Një vajzë 17-vjeçare ka humbur jetën gjatë festimeve pas fitores së Francës ndaj Marokut në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.
Sipas shërbimeve të emergjencës franceze, ngjarja e rëndë ndodhi më 10 korrik në Aulnoye-Aymeries, pranë qytetit Maubeuge, në veri të Francës, afër kufirit me Belgjikën.
Mësohet se e reja ndodhej në pjesën e pasme të një kamioni, i cili po tërhiqte një rimorkio, kur ka rënë nga automjeti dhe është përplasur nga vetë kamioni, duke ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i mjetit është ndaluar nga policia, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Një tjetër adoleshent, dëshmitar i ngjarjes, është transportuar në spital për shkak të tronditjes psikologjike.
Pas fitores 2-0 të Francës ndaj Marokut në Boston, mijëra tifozë dolën në rrugë në qytete të ndryshme të vendit për të festuar suksesin e kombëtares. Në Paris, turma të mëdha u mblodhën në hapësirat publike, ndërsa autoritetet kishin angazhuar forca të shumta policie për garantimin e sigurisë.
Një prej këtyre festimeve, megjithatë, përfundoi në një tragjedi me humbjen e jetës së 17-vjeçares.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






