Transmetuar më 10-07-2026, 17:24

Tiranë, 10 korrik 2026 – Organizatorët e protestave qytetare kanë njoftuar zhvillimin e protestës së 41-të në Tiranë, ku do të përsëriten kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin politik të vendit.

Sipas njoftimit të organizatorëve, tubimi do të nisë në sheshin "Skënderbej", për të vijuar me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime nga pjesëmarrës dhe përfaqësues të protestës.

Gjatë protestave të mëparshme janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se lëvizja, e cila nisi pas ngjarjeve në Zvërnec, është shndërruar në një protestë me kërkesa politike për ndryshim të qeverisjes.

Sipas tyre, protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore:

Dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor. Miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhore, përfshirë kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike. Shfuqizimin e disa ndryshimeve ligjore, përfshirë ato që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike. Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, pas një procesi konsultimi me ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë.

Protesta pritet të zhvillohet nën masa sigurie nga Policia e Shtetit, ndërsa deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria lidhur me kërkesat e organizatorëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit