Transmetuar më 10-07-2026, 16:22

Tiranë, 10 korrik 2026 – Gjykata Kushtetuese ka reaguar ndaj raportit të Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke kundërshtuar përfundimet që lidhen me zbatimin e rekomandimeve për të drejtën e aksesit në gjykimin kushtetues.

Raporti, i dorëzuar në Kuvend më 23 qershor, vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk ka reflektuar në mënyrë të plotë rekomandimet e GJEDNJ-së, veçanërisht sa i takon garantimit të aksesit në gjykimin kushtetues dhe ekzekutimit në kohë të vendimeve.

Në reagimin e saj, Gjykata Kushtetuese i cilëson këto përfundime të nxituara dhe të pambështetura në kontekstin e plotë të çështjeve të analizuara, duke argumentuar se raporti përmban elemente që, sipas saj, krijojnë perceptime të pasakta dhe cenojnë autoritetin institucional.

Gjykata thekson se çështjet e përmendura në raport janë shqyrtuar pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, të cilat reduktuan afatin për paraqitjen e ankimit kushtetues individual nga dy vjet në katër muaj dhe kërkuan interpretim të ri mbi mënyrën e llogaritjes së këtij afati.

Po ashtu, Kushtetuesja nënvizon se raporti nuk merr në konsideratë faktin se disa prej vendimeve të përmendura, përfshirë çështjen "Frroku kundër Shqipërisë", janë shqyrtuar në një periudhë kur gjykata nuk funksiononte me përbërje të plotë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i vendimeve të GJEDNJ-së është një përgjegjësi që ndahet mes institucioneve dhe nuk mund t’i atribuohet vetëm njërit prej tyre. Në këtë kuadër, ajo thekson se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Avokaturën e Shtetit dhe me Departamentin për Ekzekutimin e Vendimeve të GJEDNJ-së, duke ofruar informacion dhe asistencë sa herë është kërkuar, si edhe me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Në përfundim të reagimit, Gjykata Kushtetuese rithekson angazhimin e saj për zbatimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe respektimin e standardeve të vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit