

Laç, 10 korrik 2026 – Policia vijon hetimet për vrasjen e Ilir Gjinit, i njohur edhe me mbiemrat Lika, Kokaj dhe Nure, rreth 40 vjeç, i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Laç.
Sipas Policisë, 40-vjeçari humbi jetën gjatë transportimit drejt spitalit si pasojë e plagëve të marra. Për ngjarjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti, i njohur edhe me emrin Artur Suti, i dyshuar si autor i vrasjes.
Nga të dhënat paraprake hetimore rezulton se viktima dhe i dyshuari kishin pasur një konflikt rreth një muaj më parë në qendër të qytetit. Dyshohet se ata janë përballur sërish mbrëmjen e ngjarjes, pak para se të ndodhte atentati.
Sipas burimeve hetimore, të dy banonin në të njëjtën lagje. Viktima ishte duke hyrë në pallatin ku banonte, pasi kishte parkuar automjetin, kur u qëllua me disa plumba.
Policia ka shoqëruar për t’u marrë në pyetje nënën dhe vëllain e personit të shpallur në kërkim, ndërsa kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij vijojnë.
Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës. Hetuesit po verifikojnë pistën se Ilir Gjini mund të ketë qenë i armatosur në momentin e ngjarjes, një rrethanë që pritet të sqarohet përmes administrimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, provave materiale dhe dëshmive të mbledhura.
Ngjarja ka rënduar më tej situatën e familjes së viktimës, pasi, sipas burimeve, disa muaj më parë ai kishte humbur edhe bashkëshorten. Familjarët kanë hapur sot dyert e mortit për të pritur ngushëllimet dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit 40-vjeçarit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të krimit vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






