Transmetuar më 10-07-2026, 15:02

Tiranë, 10 korrik 2026 – Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare ka prezantuar një nismë kombëtare që synon ta kthejë mikpritjen tradicionale shqiptare në një standard të turizmit, duke u ofruar turistëve bukë, ujë dhe, sipas mundësive, vaj ulliri falas në restorante dhe bujtina.

Nisma u prezantua në Piqeras të Himarës dhe synon të shtrihet në të gjithë vendin, me qëllim promovimin e traditës shqiptare të mikpritjes dhe forcimin e imazhit të Shqipërisë si një destinacion turistik mikpritës.

Kryetari i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, Kujtim Dervishi, deklaroi se iniciativa nuk krijon një traditë të re, por synon të rikthejë zakonin e hershëm shqiptar të pritjes së miqve me bujari, në mënyrë që çdo vizitor të ndihet i mirëpritur si në një shtëpi shqiptare.

Sipas nismës, bizneset pjesëmarrëse do të shërbejnë falas në çdo tryezë bukë, një gotë ujë dhe, kur të jetë e mundur, vaj ulliri shqiptar, si një gjest simbolik i mikpritjes.

Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, e cilësoi iniciativën një kontribut të rëndësishëm në promovimin e vendit dhe u bëri thirrje restoranteve, bujtinave dhe bizneseve të shërbimit që t’i bashkohen kësaj nisme për të përforcuar identitetin mikpritës të Shqipërisë.

Edhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vlerësoi rëndësinë e projektit, duke theksuar se cilësia e shërbimit, mikpritja dhe ruajtja e traditave janë elementë kyç për suksesin afatgjatë të turizmit shqiptar.

Aktiviteti u zhvillua në një bujtinë në jug. Në përfundim të ceremonisë u shpërndanë certifikata mirënjohjeje dhe medalje për kontributin në promovimin e mikpritjes tradicionale dhe zhvillimin e turizmit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit