Transmetuar më 10-07-2026, 15:00

Tiranë, 10 korrik 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës për hetimin e komenteve negative ndaj bizneseve, duke e cilësuar atë një përpjekje për të kontrolluar aktivitetin e qytetarëve në rrjetet sociale dhe një cenim të lirisë së shprehjes.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se, përmes institucioneve shtetërore, synon të monitorojë veprimtarinë digjitale të qytetarëve, duke e krahasuar këtë qasje me vendimin për kufizimin e TikTok-ut.

Sipas tij, çdo qytetar ka të drejtë të shprehë lirshëm opinionin për shërbimet publike dhe private që merr, si edhe të publikojë mendimet e tij në rrjetet sociale, pa u përballur me presion apo hetime.

Berisha theksoi se Partia Demokratike nuk mbështet publikimin e komenteve të rreme apo përdorimin e llogarive false për të dëmtuar konkurrencën, por ngriti dyshime se raste të tilla mund të jenë organizuar për të justifikuar, sipas tij, masa më të gjera të mbikëqyrjes së qytetarëve në internet.

Kreu i opozitës argumentoi se nisma po ndërmerret në një moment kur, sipas tij, vendi po përjeton protesta qytetare, duke pretenduar se qëllimi është identifikimi dhe monitorimi i pjesëmarrësve në këto protesta, si dhe kontrolli i komenteve kritike ndaj qeverisë.

Ai deklaroi se kjo qasje përbën një rrezik për lirinë e fjalës dhe paralajmëroi se mund të çojë në kufizimin e llogarive në rrjetet sociale, duke e krahasuar me praktika të vendeve autoritare.

Në përfundim, Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar, sipas tij, veprimtarinë e institucioneve shtetërore në lidhje me monitorimin e aktivitetit online të qytetarëve.

Deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha

I tmerruar nga uragani i protestës rinore e qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të policojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në fakt të mbarë qytetarëve. Kësaj radhe, kjo nuk po bëhet vetëm për sulmet e tyre ndaj Edi Ramës për të cilat ai është betuar si hakmarrës primitiv se "ata që më vijnë mbrapa, do të më kenë prapa", por edhe për përshtypjet dhe komentet negative ndaj bizneseve të afërta me qeverinë.

Partia Demokratike konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur përshtypjen e tij për çdo shërbim privat apo publik që merr dhe, në këtë kuadër, për klientin që ka marrë shërbimin nuk mund të ketë asnjë kufizim. Sikurse, PD konsideron të pacënueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale për çdo gjë dhe për cilindo.

Natyrisht, Partia Demokratike nuk pajtohet kurrë me përshtypje të rreme nga llogari false për shërbime që nuk janë marrë kurrë, të cilat synojnë të dëmtojnë konkurrencën e ndershme. Por, Partia Demokratike shpreh dyshimet e saj më serioze se këto përshtypje false negative janë akte të organizuara nga patronazhistët e qeverisë së tyre në funksion të qëllimeve të zeza represive censuriale të saja.

Fakti që ky problem del pikërisht në kulmin e protestës rinore e qytetare, tregon qartë se:

1. Kjo fushatë gjoja kundër përshtypjesh të rreme negative është e organizuar nga narkoinstitucionet dhe patronazhistët për të sulmuar eksponentët dhe pjesëmarrësit e protestës;

2. Nën pretekstin e identifikimit të autorëve të këtyre përshtypjeve negative, kërkohet të gjendet një shkak për të vendosur një policim të plotë, digjital dhe masiv të veprimtarisë online të qytetarëve;

3. Edi Rama ka si qëllim kryesor kontrollin e komenteve të qytetarëve kundër tij dhe qeverisë së tij;

4. Me policimin digjital, po përgatitet terreni që ashtu siç bëri me TikTok-un dhe duke ndjekur shembullin e Ajatollahëve të bllokohen mijëra llogari dhe, po qe e mundur, rrjetet sociale në tërësi.

Prandaj, Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe, si një atentat të rëndë ndaj fjalës së lirë, mendimit dhe shprehjes, vendimin e Edi Ramës për kontrollin dhe policimin e rrjeteve sociale të qytetarëve, si dhe të statuseve e komenteve të tyre në këto rrjete.

Partia Demokratike do kerkojë komision hetimor parlamentar të kësaj veprimtarie antikushtetuese të narko-institucioneve të regjimit të Edi Ramës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit